Kjo është një intervistë e zhvilluar me fizikantin e njohur Prof. Dr. Igor Bulyzhenkov. Ai ka mbrojtur doktoraturën në Institutin Landau të Fizikës Teorike dhe punon tani në Institutin e Fizikës dhe Teknologjisë të Moskës.
Ky institut është themeluar nga disa fizikantë fitues të çmimit Nobel si Landau, Semenov dhe Kapitsa. Bulyzhenkov ka shërbyer si zëvëndës rektor në këtë institut dhe tani shërben si anëtar i komisionit të përhershëm të Federatës Ruse në Bashkimin Europian.
Kjo intervistë u zhvillua gjatë Konferencës së 15’ të Marcel Grossmann, mbi Zhvillimet e reja në Relativitetin e Përgjithshëm Teorik dhe Eksperimental, Gravitacionin dhe Teoritë Relativistike të Fushave.
MN: Kur ka qenë kontakti juaj i parë me këtë punim të prezantuar nga dy kërkues shqiptarë?
IB: Unë i kam takuar për herë të parë në Kretë në një konferencë ndërkombëtare shkencore mbi Fizikën Fundamentale. Atëherë m’u duk një prezantim shumë interesant, dhe më vonë fola shumë me të dy. Ishte e vështirë t’i kuptoje idetë e tyre, por unë isha i parapregatitur sepse kam lexuar punimet e një shkencëtari (s’mund të them italian apo rus) të njohur, Roberto Oros di Bartini, i cili ka kontribuar shumë në Inxhinierinë Aerohapesinore Ruse.
MN: Gjatë cilës kohë ka kontribuar Bartini?
IB: Ka punuar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte komunist dhe u largua nga Italia e Musolinit për në Rusi. Atje e burgosën. Më pas punoi me dizenjuesët më të mirë të Rusisë. Bartini bëri një punim shumë unik bazuar në analizën dimensionale të madhësive të fizikës.
Ai punoi bashkë me Pontekorvon, një shkencëtar shumë i njohur, që punonte në Dubna. Idetë e tij ishin shumë të avancuara dhe pak fizikantë i kuptuan ato. Më vonë, rreth viteve ‘50 punimet e tij u publikuan në Rusi me ndihmën e Pontekorvos. Unë vetë u kam kërkuar studentëve të mi që kush është i aftë të kuptojë idetë e Bartinit do të merrte bursë speciale.
Kur u takova me dy kërkuesit shqiptarë, menjëherë kuptova ngjashmërinë e punës së tyre me punën e Bartinit dhe me atë të de Brojlit. De Brojli ka disa punime mbi termodinamikën e një grimce të izoluar dhe kjo perspektivë e tij nuk është shumë e përhapur as edhe në Francë megjithëse ai ka qenë president i Akademisë të Shkencave të saj. Kolegët shqiptarë kanë përkufizuar edhe energjinë e brendshme të një objekti të cilën e quajnë energjia e paekspozuar.
Kjo është ajo që de Brojli e quan energji e brendshme dhe Ajnshtajni e prezanton si energji qetësie e barabartë me mc2, një energji e cila ndryshonte me anë të faktorit të Lorentzit dhe këtë e di çdo fizikant. Por ne të gjithë e harruam këtë fakt dhe menduam se mc2 është konstante se masa është konstante.
Këta dy kërkues e thanë shumë qartë se kjo madhësi ndryshon me lëvizjen dhe duhet të ndryshojë, por energjia totale e sistemit, shuma e të brendshmes dhe asaj të jashtme duhet të jetë konstante, dhe ky është ndryshimi i tyre me Ajnshtajnin. Unë jam absolutisht dakort me këtë ide.
Energjia totale duhet të jetë konstante dhe duhet të jetë e përbërë nga dy pjesë: energjia e paekspozuar dhe energjia e ekspozuar. Më vonë edhe unë punova në këtë drejtim si dy kërkuesit shqiptarë. Publikova në revistën shumë prestigjioze Astrofizika dhe Shkencat e Hapësirës (Astrophysics and Space Science) duke përdorur një përafërsim të sistemit me një terminologji të ndryshme.
Unë e quajta nxehtësi e brendshme dhe energji e jashtme e rregullt. Kur ka lëvizje, të gjithë elementët nuk janë në lëvizje kaotike, por janë në një rend dhe lëvizin si një trup i vetëm. Në fakt edhe de Brojli dhe Ajnshtajni e kanë konceptuar pothuajse në këtë formë kur kemi gjendje kaotike dhe energji të rregullt.
Pra ka garë të vazhdueshme midis energjisë kaotike (kaosit të brendshëm) dhe asaj të jashtme. Në thelb, graviteti apo relativiteti i përgjithshëm është në fakt fizika e termodinamikës, e termomekanikës, fizika e kaosit dhe e rregullit. Fizika e Njutonit nuk është kështu, është shumë ndryshe sepse tek ai një objekt është një pikë e cila nuk ka strukturë dhe nuk ka variabla të brendshme.
Njutoni e vendosi të gjithë madhësinë e energjisë në energjinë e ekspozuar (me karakter kinetik) pa komponentë të brendshme. Ai vendosi dy gjendje energjitike në një.
Këto dy kërkues i ndanë këto dy energji dhe kjo është një ide shumë e bukur, i ndanë në energji të brendshme dhe të jashtme në mënyrë të ngjashme me de Brojlin.
De Brojli në punën e tij të titulluar, “Termodinamika e një grimce të izoluar”, shprehet se çdo grimcë e vetme ka një energji të brendshme, nxehtësinë e brendshme dhe me lëvizjen kaosi zvogëlohet dhe pjesa e rregullt e energjisë rritet.
Kjo është Fizika e së ardhmes. De Brojli e publikoi punën e tij në 1964, Bartini publikoi punën e tij në vitet ’50 atë që mund ta ketë shkruar që në vitin 1947. Ajnshtajni në vitin 1907, kur po pregatitej për teorinë e përgjithshme të relativitetit tha se ka energji të brendshme dhe energji kinetike, por çështja është se si mund të përdoret kjo energji për lëvizje të rregullt. Sepse graviteti nuk është vetëm që lëshon një gur dhe guri shkon në potencialin më të ulët.
Jo, ideja është se janë disa humbje të energjisë së brendshme dhe fitim të energjisë së jashtme dhe është një balancë e energjisë gjatë lëvizjes. Dy objekte mundësojnë lëvizje dhe rrotullim të përbashkët pa kundërshtuar ligjet e lëvizjes.
Problemi është se si ta prezantosh këtë ide sepse komuniteti duhet ta kuptojë. Kur një ide është shumë përpara asaj që ne kemi pranuar, shumë nuk do ta pranojnë përveç nëse ka evidencë eksperimentale që ta mbështesë idenë. Ajnshtajni u mbështet nga Planku, ose përndryshe ne nuk do dëgjonim rreth tij.
MN: Ju përmendët kontribues të mëdhenj në fizikë si Ajnshtajni, Bartini dhe de Brojli. Çfarë është lidhja e këtyre me punën e këtyre fizikantëve të mëdhenj?
IB: Ideja e dy kërkuesve shqiptarë është më afër idesë së Bartinit të cilën nuk e kemi kuptuar siç duhet në kohë, dhe është shumë afër ideve të de Brojlit ose punës së tij të fundit rreth 1962 dhe 1971 kur ai publikoi idetë e tij rreth mekanikës kuantike.
Edhe de Brojli vetë nuk ja ka dalë t’i promovojë idetë e tij në tekstet standarde universitare. Deri në vitin 1962 librat e tij ishin në rafte dhe asnjë nuk i lexonte megjithëse ai ishte fitues i çmimit Nobel. Ka një arsye për këtë. Komuniteti është shumë rezistent ndaj ideve të reja.
MN: Ju kaluat shumë kohë me Shpëtimin. Ai nuk është një ekspert, nuk ka tituj shkencorë….
IB: Shumë ide të bukura nuk vijnë nga ekspertët sepse ekspertët flasin të gjithë të njëjtën gjë, dhe fizikantët flasin të njëjtën gjuhë. Ai është një shahist dhe është një person shumë i zgjuar. Ai vjen me ide të reja dhe thotë se lëvizja e një objekti është produkti i përmbajtjes së energjisë së brendshme.
Unë u surprizova shumë në fillim. Kurrë nuk e kisha menduar në këtë mënyrë çështjen, megjithëse e kisha shumë të qartë se mc2 është energji, dhe nëse është energji është e ndryshueshme me transformimin e Lorentzit, dhe nëse ndryshon atëherë ndryshon edhe masa. Këtu ku ka diçka gabim.
Kjo është ndryshe nga Njutoni dhe ne duhet të gjejmë se ku ka gabuar Njutoni. Në 1962 Thomas Kuhn, një filozof, thotë se ne mund ta pranojmë teorinë e Ajnshtajnit, kur të gjejmë se ku e ka gabimin Njutoni. Ku e ka gabimin Njutoni? Këta dy kërkues e kuptuan se ku ishte gabim Njutoni.
MN: Pyetja e parë, cilat janë implikimet praktike, dhe pyetja e dytë, cila është rruga për të legjitimizuar këtë perspektivë?
IB: E para, kjo perspektivë për lëvizjen, përmes variablës së energjisë së brendshme do të çonte në një lidhje më të qartë midis fizikës kuantike dhe asaj klasike. Sepse kur ekuacionet e lëvizjes për një grimcë kuantike ndryshojnë frekuencën (ose energjinë) me lëvizjen, kjo është e ndryshme me grimcat Njutoniane (klasike).
Por në ligjin e tyre të lëvizjes, energjia e brendshme ndryshon në të njëjtën mënyrë siç grimcat quantike ndryshojne energjinë (ose frekuencën). Pra në perspektivën e tyre ka një ngjashmëri midis fizikës klasike dhe asaj kuantike.
Relativiteti i Ajnshtajnit mund të jetë më afër fizikës (lëvizjes) kuantike sesa asaj klasike. Por ne bëjmë një gabim kur shpjegojmë fizikën e Ajnshtajnit duke marrë referenca tek fizika Njutoniane. Fizika e Ajnshtajnit duhet të zhvillohet në mënyrën e vet sepse nuk ka antologji koherente në fizikë, sepse shpesh duhet ndryshuar paradigma dhe fizika e Ajnshtajnit është shumë e ndryshme nga ajo e Njutonit.
MN: Po për implikimet praktike, ç’mund të thoni?
IB: Ju e dini se aplikimi praktik në fizikë ishte bomba atomike e lëshuar nga energjia e brendshme. Këtu aplikimi i vërtetë mund të jetë nxjerrja e energjisë së brendshme në një formë të kontrollueshme gjatë lëvizjes, ose gjatë lëvizjes rrethore, pra ideja është si të përdorësh energjinë e brendshme të objektit për të organizuar propulsionin, pra është gjithmonë pas formulave nëse do të përdoren në mënyrën e duhur.
MN: A jeni gati të bashkëpunoni me ta?
IB: Mund të jem unë ose ndonjë fizikant tjetër, por duhet organizuar në mënyrën e duhur. Nuk ka shumë kuptim sipas meje që të shkojnë nga një konferencë në një tjetër.
Sepse edhe në këtë konferencë ku janë rreth 1000 fizikantë teorikë, si unë, që kanë ardhur këtu për të promovuar idetë e tyre, dhe nuk kanë ardhur për të promovuar idetë e të tjerëve.
Ajo që mund të bëjnë dy kërkuesit është të bëjnë një thirrje ndërkombëtare për bashkëpunim, nuk duhet të ketë bashkëpunim vetëm me një person. Duhet të jenë disa fizikantë eksperimentalistë, pra unë do t’u propozoja atyre të formulojnë të paktën një parashikim që mund të testohet. Të propozojnë një eksperiment që mund të vërtetojë ose të kundërshtojë idenë e tyre.
MN: A shikoni ndonjë lidhje midis punës së tyre me kërkesën e teorisë së unifikimit?
IB: Ata nuk specifikuan se çfarë kanë unifikuar. Me sa shikoj unë, ata kanë unifikuar forcën e Njutonit me forcën elektromagnetike (gravitacionin me elektromagnetizmin), por janë edhe dy forca të tjera.
Ata nuk unifikuan të katër forcat, ndoshta mund të jetë hapi tjetër i punës. Në atë që po mundohen të diskutojnë, unë nuk mund të them që ata e kanë kompletuar unifikimin.
Kjo mund të arrihet në një platformë më të avancuar. Ata vendosën disa ide, në fizikë nuk ka vetëm unifikim, ata bënë një propozim, mund të jetë e saktë, mund të mos jetë e saktë, duhet të jetë e testueshme në një eksperiment shumë të qartë. Mund të jetë një eksperiment shumë i kushtueshëm, nuk e di, por duhet të testohet në fillim.
Roberto Oros di Bartini (1897-1974): Themeluesi dhe konstruktori më i madh i aviacionit rus dhe autor i punimeve origjinale në fizikën teorike.
Louis de Broglie (1892-1987): Fizikant fitues i çmimit Nobel për propozimin që grimcat kanë edhe natyrë valore. Në kasafortën e Ajnshtajnit, njëra prej punëve që u gjet ishte punimi origjinal i de Brojlit.