I dashur Shpëtim,
Boll më bëhet qejfi që po riçel një gazetë. Ti e di që “ABC” nuk ishte emri që unë parapëlqeja atë ditë kur këmbyem mejtimet për pagëzimin e gazetës. Por mbase ke ti më të drejtë, sepse në fund të fundit ky emër i vete vërtet për shtat personit tënd. Se ç’ke ti një cehre prej mësonjësi të obseduar pas ligjësive elementare të universit, pas bazave të fshehura në antikitet, pas parimeve fillestare të krijimit artistik, pas asaj që ti e quan shkurteprerë me një fjalë të vetme “klasikja”. Por që në fakt me klasiken mirëfilli pak ka të bëjë, mbase më shumë lidhet me mbijetesën e gjërave që s’treten, me një lloj të jetuari kokëfortësisht me ndjesinë se asgjë e re s’mund të jetë apriori më e mirë se e vjetra. Bile se, daha më keq, e reja vjen në jetë me një kompleks inferioriteti ndaj asaj që ishte aty më parë. E ç’lidhje kanë tani këto përsiatje të tymta mbi ty me “ABC”-në tënde?
Ndiqmë edhe pak se mbase më ndihmon ta bëj lidhjen. Po bëhen dalëngadalë njëzet vjet që jemi njohur, unë mezi gjej afëri mes atij që isha në shëtitoren e Lushnjës, kur u takuam, dhe atij që jam sot këtu përpara kartës ku po hedh këta rreshta. Kurse ti? Ti je thuajse po ai, natyrisht po të mos llogarisim ndonjë thinjë më pak! E ja kështu tamam të shoh unë. Si një dëshmitar kokëfortë i të qenit më mirë i vjetër se i ri, më mirë klasik se modern, më mirë mësonjës fshati se dekan kryeqyteti, shkurt, më mirë gjithçka që të gjithë nuk duan të jenë. Deri në fund beqar. Skllav i një të ardhmeje që asnjëherë s’mund të jetë më e mirë sesa një e shkuar ku, dreqi e hëngri, ty fati nuk të zgjodhi të ishe i pranishëm. Viktimë e papenduar mes mallit për perandoritë që ranë pa prezencën tënde dhe shpotisë për ato që më kot rreken të krijohen si shëmbëlltyra surrogato të të parave. Si të duket, kam kuptuar gjë? Dhe më kujtohet kur luaje shah me një “të ri të talentuar që nuk njihte bazat” në një klub shahistësh të atij qyteti – Lushnja vetë në fakt është sot një nga provat më gajasëse të rrezikshmërisë degraduese që mbart e reja. Dhe më kujtohet kur flisje për një “të ri” tjetër, njëfarë Albert Ajnshtajn, që diç kish lënë pa përsosur në teorinë e tij të relativitetit. Dhe më kujtohet kur dokëndisje “të rinjtë” që duallën nga revolucioni demokratik si “bylmezë që mësuan hiletë përpara rregullave të lojës”. Dhe më kujtohet kur çele gazetën tënde të parë, “Dita Informacion”, të cilës i veshe një petk të vjetër urtësie në mes të rrémullës së shkaktuar nga kënaqësia orgjiake e lirisë, E nën atë petk “Dita” e shkretë s’mund të mbijetonte pa zemrën e të zot, që ti i’a shkule dhe ike nga sytë këmbët kur “të rejat” e ditës i hoqën atë aromën karakteristike të “klasikes” që përditshmërisht të renë e vështron me ca distance.
Pastaj, pasoi koha e të rinjve” të hazdisur që mësynë në fushën e sapoçliruar të informacionit, për të cilët se ç’ke pasur gjithnjë një respekt të përzier me keqardhje. Ke shkrojtur rrallë në të përditshmet e tyre, gati-gati me sikletin e atij që s’do të prishë rendin e shtëpisë së huaj, sidomos kur kjo e fundit nuk i pëlqen hiç. Për t’u kthyer tanimë nën një çati tënden edhe njëherë, pas shumë mundimesh e sakrificash të një jete të përditshme që pak ose aspak u ofron “të vjetërve” stoikë në obsesionet e tyre. E paskëtaj mbi këtë çati të ringritur s’mund të shkruhej veçse “ABC”, baza që “të rinjtë” e kanë zakon ta harrojnë. E kalofsh mirë nën të i dashur mik, deri ditën kur do të të duket shumë e re për një burrë të vjetër, siç ti ke qenë qysh dekikën kur gjithnjë e reja nëna jote të ka nxjerrë në jetë. Në një kohë “karagjozësh të vegjël” që ke ditur ta jetosh gjithnjë me nënqeshjen tolerante të atij që ka mësuar rregullat duke refuzuar të pranojë hiletë.
Sinqerisht i yti
Edi Rama
Marrë nga arkivi i gazetës “ABC”