Të gjithëve atyre që nuk e kanë qejf apo që më shajnë për mënyrën e të shkruarit, po u jap mundësinë të më shtojnë edhe një akuzë të re. Nëse në të gjithë këtë periudhë të gjatë më kanë etiketuar si enverist, ballist, zogist, shikas, sigurims etj., etj., le të më quajnë edhe filofashist.
Akoma edhe një tjetër akuzë si filomaqedonas…
Pse kam filluar më shumë sesa duhet që kur analizoj këto punët tona të ngatërruara më del përpara fytyra e Duçes?
Kam paraqitur disa herë nëpër shkrimet e mia një tabelë që tregonte pasuritë tona kombëtare, kryesisht ato në fushën e blegtorisë, dhentë, dhi e lopë. Të dhënat janë të marra nga vëllimi i parë i një libri që quhet “Të drejtat e Shqipërisë etnike” dhe të shkruajtur nga etërit françeskanë, të cilët nuk e realizuan dot kurrë vëllimin e dytë të këtij libri, sepse përfunduan të gjithë në burg apo morën plumbin pas vitit 1944.
Të dhënat e paraqitura i përkasin instituteve italiane të vitit 1936. Janë në fakt të përpiluara prej emisarëve të shumtë italianë që zbarkuan në Shqipëri pas gjysmës së dytë të viteve ’30 të shekullit të kaluar.
Në planet fillestare të Duçes dihet se ai kërkonte instalimin e deri katër milionë kolonëve italianë dhe njëkohësisht studimin deri në imtësi të karakterit të zonave të Shqipërisë për të parë se çfarë rritej në to. Pra thjesht ku mbillet duhani dhe ku mbillet gruri, ku rriten kuajt, etj., etj.
Një vërejtës i thjeshtë i problemit dhe që rreh majtas fare në gjykime, do të thoshte se nuk kemi nevojë për fare as për studimet e Duçes dhe as për shakatë e italianëve në përgjithësi. Sistemi i Hoxhës, që në bujqësi investoi në bonifimin e tokave dhe përmirësimin e tyre, si dhe ngriti shkolla dhe institute të tëra, është i mjaftueshëm për të gjykuar. Natyrisht që kjo periudhë e tij meriton vëmendje, por tema nuk është shterruese. Hoxha, apo politika e tij, detyronte që në kundërshtim edhe me studimet e mësipërme të periudhës së Duçes që precizonte problemet, të mbillej grurë në Kukës apo në Tropojë, çka nuk do shumë mend për të kuptuar se ishte gabim.
Thënë në një mënyrë të thjeshtë, ishte një kundërshtim i qartë i traditës së fshatarit, që pavarësisht prapambetjes, kishte përcaktuar në mënyrë manuale se çfarë mbillej, korrej, apo rritej në vendin ku ai jetonte. Periudha e Hoxhës në thelb kishte merita të mëdha të një kopjimi të keq të historisë sovjetike. U adoptua mbrapsht në një vend të vogël dhe me karakteristika të tjera jetese. Akoma më keq, idetë e periudhës së tij nuk mund të shfrytëzoheshin për blegtorinë, e cila, pas “procesit të tufëzimit”, çoi fshatarin të blinte qumështin në qytet.
Por a mund të luhet në sektorin e bujqësi-blegtorisë duke iu referuar Duçes dhe Hoxhës njëkohësisht? Kjo do të ishte normale, sepse të gjitha periudhat kanë veçoritë e tyre.
Shembulli i thjeshtë i marrë më poshtë tregon domosdoshmërinë e një studimi të tillë, veçanërisht për shkak të periudhës së çmendur që po kalojmë dhe që gabimisht e quajmë tranzicion.
Të paktën deri në fillimin e viteve të fundit të sundimit komunist, në Vlorë ekzistonte një fabrikë që më duket ndihmonte në regjjen e lëkurës. Shqipëria kishte fabrika e reparte për prodhimin e këpucëve në Gjirokastër dhe Korçë dhe kjo ishte normale. Këto dy zona kishin karakter blegtoral dhe lënda e parë për prodhimin e këpucëve duhej të vinte kryesisht prej tyre. Fabrika e regjjes së Vlorës ishte ndërtuar në kohën e italianëve të Duçes dhe u ruajt edhe më vonë. Sot, pa pyetur fare, mund ta dish që ajo nuk ekziston. Natyrisht që një vërejtës i thjeshtë mund të thotë se kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Ndërkohë që problemi është më i madh sesa duket. Prodhuesit shqiptarë të këpucëve që punojnë me lëndë të parë të porositësit, apo siç i themi ndryshe, punojnë me fason, blejnë lëkurën e tyre deri në Egjipt.
Njëri prej tyre, duke tentuar ciklin e mbyllur, i shumëfishoi të ardhurat apo prodhimin e biznesit të tij, duke tentuar ta blejë vetë lëkurën. Legjendat apo realitetet e periudhës tregojnë tentativa të huajsh apo vendasish që kërkuan pa sukses të mbledhin lëkurë apo qumësht për të zhvilluar biznesin e tyre. Dështimi, natyrisht, është i lidhur së pari me një faktor të thjeshtë. Procesi kërkon zhvillimin e shumë hallkave të lidhura me njëra-tjetrën, çka natyrisht në këto zona nuk ekziston, ashtu sikurse nuk ekziston një politikë kombëtare për këtë lloj zinxhiri.
Problemi në të vërtetë është shumë më i komplikuar. Nga ai varet zgjdhja e formulës kërkes–ofertë. Çmimi i lartë i këpucëve bën që minimumi të mos arrish dot riqarkullimin e mallrave në treg dhe kështu të shkosh me duart e tua drejt vetëshkatërrimit. Një qytetar që ka të ardhura rreth 300 000 lekë të vjetra në muaj nuk mund të blejë veçse një herë në vit këpucë që kanë një çmim sa minimumi deri në 10 ditë të punës të tij.
Thellimi në probleme të tilla të çon në idenë e rikthimit te periudha e Duçes, që ndërtoi përkundër një ideje llogjike një fabrikë për të regjur lëkurët në zonën ku ishte përqendruar blegtoria më e madhe.
Në thelbin e tij, problemi shkon tek manaxhimi në bujqësi dhe blegtori. Ajo nuk mund të jetë më një politikë e partive të vogla që e shikojnë si trofe lufte këtë histori dhe shpikin instrumente pas instrumentesh për t’i ardhur në ndihmë fshatarit.
Po ndërsa ne mburremi ende me budallallëqe të tilla, fqinji ynë, që në shumë pikëpamje është më i varfër se ne, të paktën në resurse, Maqedonia investon në drejtim të bujqësisë, një shiifër gati njëzet herë më të madhe. Po ku i gjen ajo gati 200 milionë euro për të investuar në bujqësi, ndërsa ne hedhim aty 10 milionë të tilla?
Përgjigjja mund të jetë e natyrave të ndryshme dhe hipoteza e hedhur këtu mund të jetë naive, por gjithsesi duhet t’i shërbejë tezës se në bujqësi duhet vrapuar.
Shembulli ilustrues është po ai i tipit të Vlorës. Duke mos ndërtuar politikën e përqendrimit të thertoreve, por duke i lënë ato të shpërndahen ku të mundin e si të mundin, Shqipëria së pari humbet atë tërësi lëkurësh që duhen për prodhimin e këpucëve. Pastaj shton sasinë e mishit të pakontrolluar, që mund të jetë lloj-lloj kualiteti e që vetëm shton të sëmurët në radhët e spitaleve.
Akoma dhe ky është një fakt edhe më i rëndësishëm, Shqipërisë nuk i lejohet për shkak të një politike të tillë të eksportojë në tregun evropian as edhe një kilogram mishi të vetëm, megjithëse në shumicën e rasteve ai mund të jetë edhe bio. Ndërkaq, Maqedonia eksporton, siç e kam shkruar edhe në raste të tjera, mbi 250 000 qengja çdo vit.
Po të vijmë edhe një herë te thelbi i problemit? Nga i gjen Maqedonia 200 milionë euro për të investuar çdo vit për bujqësinë?
Ka shumë mundësi që ajo me politikën e saj subvencionon jo fidanë dhe arrorë, por përpiqet që me këtë subvencionim të arrijë një zinxhir të atillë të prodhimit që shkon nga prodhuesi te konsumatori. E thënë thjesht, ajo hedh para që së pari shmangin informalitetin, duke krijuar zinxhirin e mësipërm. Pastaj këto para i rimerr në forma të ndryshme që nga taksat e deri te eksporti.
Dhe pikërisht këtu mund të rezymojmë.
Fabrika e ndërtuar nga Duçja në vitet e luftës, apo para saj, lejon grumbullimin e lëkurëve që shtojnë prodhimin e këpucëve apo produkteve të tjera. E gjitha kjo rregullon kërkes-ofertën e tregut. Përqendrimi i hallkave nga prodhuesi deri te konsumatori të shpie në një sërë operacionesh të tjera e në fund të fundit në pranimin nga Evropa të eksporteve tona.
Siç e thashë edhe në titullin e këtij shkrimi me gjysmë shakaje, ditën më del para syve Duçja dhe natën Maqedonia. Siç është dhe normale nga një gazetar që nuk është i specializuar në fushën përkatëse, mund të dëgjosh apo të shohësh defekte të vogla apo të mëdha. Por gjithsesi, në rastin më të mirë, këto lloj shkrimesh vlejnë për ata që i dinë më mirë këto punë…
Dhe së fundmi, ndoshta është më mirë që pas njëzet e pesë vitesh në të cilat hamë vetëm politikë, duhet të kuptojmë se nuk shkojmë gjëkundi, por vetëm ushqejmë legjendat e kafeneve me gjoja luftën pozitë-opozitë.